Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se një person me inicialet N.A. është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për përfshirje në tri vepra penale që lidhen me keqpërdorimin e pozitës zyrtare, marrjen e ryshfetit dhe zbulimin e fshehtësisë zyrtare.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, ndalimi është bërë pas disa muajsh hetime, në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë e Kosovës, me urdhër të Prokurorit të Shtetit.
Hetimet fillestare dyshojnë se personi, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka zbuluar informacione zyrtare lidhur me prona të caktuara për persona të paautorizuar, në këmbim të ryshfetit.
Sipas Prokurorisë, veprimet e dyshuara kanë pasur për qëllim tjetërsimin e pronave, vlera e të cilave dyshohet të jetë shumë e madhe.
“Sipas të dhënave fillestare të hetimit, rasti ka të bëjë me dyshimet për veprat penale që lidhen me zbulimin e fshehtësisë zyrtare, apo informatave zyrtare lidhur me prona të caktuara, personave të pa autorizuar në këmbim të marrjes së ryshfetit. Këto veprime dyshohen se janë kryer me qëllim të tjetërsimit të pronave, vlera e të cilave dyshohet të jetë shumë e madhe”, bëhet e ditur në njoftim.
Arrestimi është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion e Policisë së Kosovës në Prishtinë.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kompetente, mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit, dhe do të vazhdojë ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit”, theksohet në fund të njoftimit./teve1.info/







