Profesori Artan Nimani ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës duhet të përqendrohet në anëtarësimin e vendit në NATO dhe në përballjen politike me Bashkimin Evropian lidhur me Gjykatën Speciale në Hagë.
Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e forcimit të raporteve strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Duke komentuar takimet e presidentes së sapozgjedhur të Kosovës, Justina Shiroka Pula, dhe kryeministrit Albin Kurti me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, Nimani ka nënvizuar se bashkëpunimi me SHBA-në mbetet thelbësor për të ardhmen e Kosovës.
Sipas tij, rikthimi i dialogut strategjik me Uashingtonin dhe sigurimi i mbështetjes amerikane për anëtarësimin e Kosovës në NATO duhet të jenë ndër prioritetet kryesore të institucioneve të vendit.
“Ne nuk kemi ndonjë orientim tjetër përveç SHBA-ve, prandaj qenësia jonë, jo vetëm e Kosovës, por e të gjithë shqiptarisë, është e lidhur dhe e përbashkuar me qëndrimet e SHBA-ve. Sa më shumë Amerikë në Kosovë, aq më shumë shqiptari në rajon”, ka deklaruar Nimani.
Profesori ka përshëndetur edhe kërkesën e kryeministrit Kurti drejtuar senatorëve amerikanë për mbështetjen e anëtarësimit të Kosovës në NATO, si dhe për shndërrimin e Kampit Bondsteel në një bazë të përhershme ushtarake amerikane.
Nimani ka vlerësuar se një prani e përhershme ushtarake amerikane në Bondsteel do të ishte në interes të Kosovës, duke e konsideruar forcimin e partneritetit me SHBA-në si një element të rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin e vendit.
Në përfundim, ai ka theksuar se kryeministri Kurti duhet të fokusohet urgjentisht në avancimin e integrimit euroatlantik dhe në zhvillimet politike që lidhen me Gjykatën Speciale në Hagë.
“Kurti ka bërë mirë që ka kërkuar këtë dhe do të duhej që tash urgjentisht të fokusohet në këto dy tema që kanë mbetur: anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe beteja politike me BE-në për Gjykatën Speciale në Hagë”, ka përfunduar Nimani./teve1.info/







