Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) e ka miratuar me gjashtë vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim kërkesën e Policisë së Kosovës për lejimin e transmetimit eksperimental të “Radio Policia”.
Gjatë mbledhjes së KPM-së, ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të këtij komisioni, Namon Racaj, ka shpjeguar se kërkesa mbështetet në rregulloren e re për transmetimet eksperimentale, e cila u mundëson subjekteve të interesuara të testojnë teknologji dhe forma të reja të transmetimit.
Kurse, kryetari i KPM-së, Besnik Berisha, e ka cilësuar kërkesën si një mundësi të rëndësishme për të testuar funksionimin e lajmërimeve të trafikut përmes transmetimeve radiofonike.
Berisha ka rikujtuar se kjo temë është diskutuar edhe më herët në KPM, duke përmendur kritikat e mëparshme të qytetarëve lidhur me mënyrën se si transmetoheshin njoftimet e trafikut dhe kalimin automatik të sinjalit në kanale të caktuara.
Lexo po ashtuHendeku tregtar thellohet, Kosova me mbi 615 milionë euro deficit vetëm në korrik“Unë mendoj se ka ardhur një moment i rëndësishëm për këtë kërkesë dhe, meqë është për transmetim eksperimental, nga ajo pjesë që e kam lexuar, nuk ka pasur theksim të mjaftueshëm të asaj që quhet ‘traffic announcement’, ose lajmërimet e trafikut. Kjo është një temë që mendoj se e kam nisur para rreth katër vitesh, kur kam qenë në KPM, dhe mendoj se është diçka e rëndësishme. Kemi pasur edhe kritika dhe debate më herët, madje ndoshta edhe ankesa, për shkak se kalonte sinjali dhe ndërronte kanalin në mënyrë automatike. Është shumë e rëndësishme që të bëhen këto testime pikërisht në këtë pjesë”, ka deklaruar Berisha.









