KB Bashkimi nuk do të jetë në gjendje ta zhvillojë ndeshjen e xhiros së dytë të fazës grupore në FIBA Europe Cup.
Bashkimi, të martën mbrëma është dashur të përballet në udhëtim me Manchesterin, ndeshje kjo që i takon Grupit F.
Megjithatë, ekipi nga Prizreni nuk ka mundur të udhëtojë drejt Anglisë për shkak të vizave dhe tashmë ka njoftuar edhe FIBA-n, duke kërkuar shtyrjen e ndeshjes.
Në njoftimin e Bashkimit thuhet se klubi ka përmbushur me kohë të gjitha procedurat dhe kërkesat e nevojshme për aplikim për viza, por nuk ka pranuar asnjë përgjigje në lidhje me pajisjen e anëtarëve të ekipit.
“Si pasojë e kësaj situate, ekipi nuk mund të udhëtojë dhe të zhvillojë ndeshjen e paraparë sipas planifikimit. Për këtë arsye, klubi i është drejtuar FIBA-s me kërkesë për shtyrjen e ndeshjes dhe caktimin e një date të re, në mënyrë që ekipi të ketë mundësinë të pajiset me vizat e nevojshme dhe të udhëtojë për ta zhvilluar ndeshjen”, ka shkruar Bashkimi të hënën.
Bashkimi ka insistuar se ka ndërmarrë me kohë të gjitha veprimet dhe ka përmbushur procedurat e kërkuara, por mungesa e përgjigjes për viza ia ka bërë të pamundur realizimin e udhëtimit.
Javën e shkuar, Bashkimi e nisi me fitore fazën e grupeve të FIBA Europe Cup, duke e mposhtur në Prizren skuadrën nga Letonia, Valmiera.









