Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka uruar Akademinë e Shkencave të Shqipërisë me rastin e 54-vjetorit të themelimit, duke vlerësuar rolin e saj në ruajtjen e trashëgimisë kombëtare dhe zhvillimin e shkencës shqiptare.
Në mesazhin e urimit, Shiroka-Pula ka theksuar se Akademia, që nga themelimi dhe udhëheqja e parë e profesor Aleks Budës e deri te drejtimi aktual nga Skënder Gjinushi, ka qenë një institucion i rëndësishëm i dijes, kërkimit shkencor dhe mbrojtjes së trashëgimisë kombëtare.
Ajo ka vlerësuar se gjatë 54 vjetëve të veprimtarisë, Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka mbetur një nga shtyllat e identitetit intelektual të kombit shqiptar, duke ndërthurur ruajtjen e trashëgimisë me angazhimin në fushat e reja të shkencës, inovacionit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Ajo tha se roli i këtij institucioni është veçanërisht i rëndësishëm në kohën kur shoqëria shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë përballet me ndryshime të thella dhe nevojë të shtuar për dije e ekspertizë.
“Për ne, shqiptarët e Kosovës, ky institucion ka qenë dhe mbetet një referencë e rëndësishme e dijes dhe e krenarisë kombëtare”, thuhet në urimin e Shiroka-Pulës.
Në mesazhin e saj, Presidentja ka shprehur dëshirën që Akademia të vazhdojë të jetë një hapësirë e hapur e dijes, ku studiuesit e rinj gjejnë frymëzim dhe ku Shqipëria e Kosova përfaqësohen denjësisht në botën e shkencës dhe kulturës.
Në fund, Shiroka-Pula i ka uruar Akademisë suksese të mëtejshme, botime të reja shkencore, projekte kërkimore në shërbim të vendit dhe bashkëpunime ndërkombëtare që kontribuojnë në forcimin e emrit të shkencës shqiptare.







