Sonte në Pejë u hap ekspozita “Duke vallëzuar me re”, cila krahas fotografive të profesor Afrim Spahiut, solli edhe filmin dokumentar të jashtëzakonshëm të Besim Sahatçiut “117”.
Në prani të përfaqësuesve institucionalë të nivelit qendror dhe lokal, artistëve dhe përfaqësuesve të shumtë nga fusha të ndryshme të artit e kulturës, kryeministri Albin Kurti tha se profesor Afrim Spahiu është i njohur jo vetëm për fotografitë, por edhe për fotografitë në film.
“Afrim Spahiu karakterizohet nga një lloj dokumentimi që, transformimi që bën koha, nuk është zhdukje e realitetit që transformohet. Teksa rrjedha e kohës ndryshon thellësisht realitetin e në të njëjtën kohë ka diçka e cila ngelet dot. E ajo që ngelet në kuptimin artistik është pikërisht fotografia e jashtëzakonshme e profesor Afrim Spahiut”, tha Kurti.
Afrim Spahiu ka një karrierë prej më shumë se gjysmë shekulli dhe ka marrë shumë çmime e shpërblime, ndër të cilat duhet theksuar çmimin për Veprën Jetësore “Bekim Fehmiu”, dhe janë mbi 25 filma në të cilët ka kontribuar.







