Shërbimi Korrektues i Kosovës ka parandaluar futjen e një sasie të dyshuar të narkotikëve në Qendrën Korrektuese në Dubravë. Pakoja e dyshimtë u gjet gjatë kontrolleve të sigurisë në orët e para të mëngjesit.
Rreth orës 02:35, zyrtarët korrektues kanë gjetur një pako të dyshimtë brenda perimetrit të institucionit, për të cilën dyshohet se ishte hedhur nga jashtë.
Sipas njoftimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, pas kontrollit dhe matjes, pesha e substancës së dyshuar narkotike, së bashku me mbështjellësin, ka rezultuar 87 gramë.
Lidhur me rastin është njoftuar Policia e Kosovës, e cila do të merret me trajtimin e mëtejmë sipas procedurave ligjore.
SHKK-ja ka bërë të ditur se do të vazhdojë zbatimin e kontrolleve të rregullta dhe masave të sigurisë, me qëllim të parandalimit të futjes së kontrabandës dhe garantimit të sigurisë në institucionet korrektuese./teve1.info/







