Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka reaguar pas vrasjes së dyfishtë në Livoç të Ulët të Gjilanit, ngjarje që tronditi vendin.
Jahjaga ka theksuar se vrasja e grave nuk duhet të shihet thjesht si një tragjedi individuale apo si çështje private familjare, por si përgjegjësi e gjithë shoqërisë dhe institucioneve.
Ajo ka bërë thirrje për përballje me mentalitetet që normalizojnë dhunën, heshtjen që e toleron atë dhe çdo përpjekje për ta arsyetuar apo minimizuar.
“Edhe sa jetë duhet të shuhen që dhuna ndaj grave mos të trajtohet vetëm si një tragjedi e radhës? Ngjarja e rëndë dje në Gjilan na tronditi thellësisht, por përtej dhimbjes dhe tronditjes, duhet të përballemi me një realitet të hidhur që ende jetojmë në një shoqëri ku gratë humbin jetën pikërisht nga ata pranë të cilëve duhet të ndihen të sigurta”, ka shkruar Jahjaga.
Ajo ka theksuar se asnjë grua nuk duhet të jetojë me frikën se mund të vritet dhe se çdo grua ka të drejtë të jetojë e lirë, e sigurt dhe me dinjitet.
Në fund, ish-presidentja u ka shprehur ngushëllime familjeve që humbën më të dashurit e tyre.
Ndryshe, sipas raportimeve, i dyshuari V.R. dyshohet se vrau bashkëshorten e tij, N.B., dhe vëllain e saj, E.R., ndërsa plagosi edhe një familjar tjetër. Pas ngjarjes, i dyshuari është dorëzuar në polici./teve1.info/







