Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, synon t’i pengojë shqiptarët nga diaspora që të vijnë për të votuar në zgjedhjet e 25 tetorit që organizohen në Serbi, thonë Shaip Kamberi dhe Bajram Mustafa.
Të dy janë kandidatë për deputetë në Parlamentin e Serbisë.
“Vuçiqi tha se shqiptarët do të vijnë nga diaspora, por ne do t’i pengojmë. Kjo është shkelje flagrante”, ka thënë Shaip Kamberi në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Ndërkohë, Bajram Mustafa kujtoi disa raste kur shqiptarët janë penguar të votojnë.
“Më herët, kishte frikë se shqiptarët do ta merrnin pushtetin në Medvegjë. Ata janë penguar të hyjnë në Serbi nga Kosova. Shumëçka nuk na befason nëse ndodh më 25 tetor. Duhet të gjenden rrugë dhe mënyra që qytetarët të votojnë të lirë”, theksoi Mustafa.







