Kryeministri Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, me të cilin ka diskutuar për integrimin evropian të vendit, mbështetjen italiane dhe zhvillimet aktuale.
Në takim Kurti ka njoftuar se është diskutuar edhe për aktgjykimin e 16 shtatorit në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), si dhe për rolin e Italisë në avancimin e statusit të Kosovës drejt vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Kurti ka shprehur mirënjohje për Italinë për mbështetjen dhe kontributin e saj në zhvillimin e Kosovës, si dhe në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në vend dhe rajon.
Kryeministri shtoi se synimi është zgjerimi i bashkëpunimit me Italinë në të gjithë sektorët me interes të përbashkët, përfshirë edhe sportin.




