Ish-presidentja e Kosovës dhe deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani ka reaguar pas vrasjes së një gruaje dhe vëllait të saj në Livoç të Ulët të Gjilanit, duke kërkuar drejtësi për viktimat dhe përgjegjësi institucionale për çdo dështim në parandalimin e dhunës.
Përmes një reagimi, Osmani ka kritikuar faktin që, sipas saj, shoqëria reagon pas vrasjeve, por nuk arrin ta parandalojë dhunën para se të jetë tepër vonë.
Ajo ka theksuar se kërcënimet dhe rastet e dhunës nuk duhet të neglizhohen nga institucionet, duke kërkuar veprime konkrete për mbrojtjen e jetës së qytetarëve.
“Gratë nuk duhet të vdesin që institucionet të zgjohen. Kërcënimet nuk duhet të përfundojnë në arkiv, e dhuna nuk duhet të përfundojë në varreza”, ka shkruar Osmani.
Në reagimin e saj, ajo ka kërkuar drejtësi për viktimat dhe përgjegjësi për çdo dështim institucional, duke bërë thirrje që veprimet konkrete të zëvendësojnë deklaratat.
“Drejtësi për viktimat. Përgjegjësi për çdo dështim. Veprim, jo fjalë. Asnjë jetë më pak! Asnjë justifikim më shumë!”, ka përfunduar Osmani./teve1.info/







