Gjykata Supreme e Kosovës ka reaguar lidhur me protestën e paralajmëruar nga punëtorët e Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), të cilët pritet të protestojnë para objektit të Gjykatës për shkak të bllokimit të llogarive bankare të ndërmarrjes dhe pamundësisë për ekzekutimin e pagave.
Përmes një sqarimi për opinionin publik, Gjykata Supreme ka bërë të ditur se lënda që lidhet me këtë kontest gjyqësor është pranuar dhe regjistruar më 21 gusht 2026 dhe aktualisht është në shqyrtim.
Gjykata ka theksuar se i kupton shqetësimet e punëtorëve të NPB-së, të cilët po përballen me vonesa në marrjen e pagave si pasojë e bllokimit të llogarive bankare të ndërmarrjes.
Megjithatë, ky institucion ka bërë të qartë se shqyrtimi i lëndëve gjyqësore bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, ndërsa përcaktimi i prioriteteve synon të garantojë trajtim të paanshëm dhe të barabartë për të gjitha palët.
Në sqarim thuhet se Gjykata nuk mund të paragjykojë se kur do të përfundojë shqyrtimi i lëndës, duke theksuar se çdo vendim do të merret në bazë të ligjit dhe rrethanave konkrete të çështjes.
Gjykata Supreme ka rikujtuar gjithashtu se respekton të drejtën e qytetarëve dhe të punëtorëve për të protestuar në mënyrë paqësore dhe në përputhje me ligjin.
Në të njëjtën kohë, ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë së gjyqësorit dhe shmangies së çdo forme të presionit që mund të perceptohet si ndërhyrje në procesin e vendimmarrjes.
Problemi i mosmarrjes së pagave nga punëtorët e Ndërmarrjes Publike Banesore është raportuar edhe më herët, ndërsa bllokimi i llogarive bankare ka pamundësuar ekzekutimin e pagave, sipas informatave të bëra publike.







