Drejtori i Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë(IKKL),Atdhe Hetemi, është takuar me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.
Sipas njoftimit të IKKL-së, në takim u diskutua puna e deritanishme e Institutit.
“Gjatë takimit, Drejtori Hetemi e njoftoi Presidentin Begaj me punën e deritanishme të Institutit në hulumtimin, dokumentimin dhe ruajtjen e dëshmive për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Një pjesë e veçantë e diskutimit iu kushtua bashkëpunimit të IKKL-së me institucionet e Republikës së Shqipërisë, përfshirë Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Bibliotekën Kombëtare dhe institucione të tjera me të cilat Instituti ka krijuar bashkëpunim”, thuhet në njoftimin e IKKL-së.
Më tej bëhet e ditur se është diskutuar edhe mundësia e zgjerimit të këtij bashkëpunimi.
“U diskutua gjithashtu për mundësitë e zgjerimit të këtij bashkëpunimi, veçanërisht në identifikimin dhe sigurimin e dokumenteve, fotografive, materialeve audiovizive dhe dëshmive të tjera që ruhen në Shqipëri dhe lidhen me periudhën e luftës në Kosovë”, thuhet në njoftim.







