Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka parandaluar tentativën për futjen e 30 mijë e 550 eurove të padeklaruara në territorin e Kosovës, përmes pikës kufitare në Bërnjak.
Në njoftim bëhet e ditur se, gjatë kontrollit në pikën kufitare Bërnjak, zyrtarët doganorë kanë përzgjedhur për kontroll një automjet me targa të huaja, i cili ishte duke hyrë në territorin e Kosovës.
Gjatë intervistimit, udhëtari është pyetur nëse kishte mallra apo mjete monetare për të deklaruar, por ai ka thënë se nuk kishte asgjë për të deklaruar.
Pas dyshimeve të krijuara gjatë kontrollit, zyrtarët doganorë kanë kryer kontroll të automjetit dhe kontroll personal të udhëtarit.
Gjatë kontrollit të automjetit, në një hapësirë të fshehtë në dysheme janë gjetur të hollat e gatshme, të cilat nuk ishin deklaruar.
“Në kuadër të kontrolleve të rregullta dhe bashkëpunimit ndërinstitucional për parandalimin dhe luftimin e veprimtarive të kundërligjshme, zyrtarët e Doganës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë parandaluar tentativën për futjen e mjeteve monetare të padeklaruara në territorin e Republikës së Kosovës. Gjatë kontrollit në pikën kufitare Bërnjak, zyrtarët doganorë kanë përzgjedhur për kontroll një automjet me targa të huaja, i cili ishte duke hyrë në territorin e Republikës së Kosovës. Gjatë intervistimit, udhëtari është pyetur nëse kishte mallra apo mjete monetare për të deklaruar. Ai është përgjigjur se nuk kishte asgjë për të deklaruar. Bazuar në dyshimet e krijuara gjatë kontrollit, zyrtarët doganorë kanë kryer kontroll të automjetit dhe kontroll personal të udhëtarit. Gjatë kontrollit të automjetit, në një hapësirë të fshehtë në dyshemenë e tij janë gjetur të fshehura 30,550 euro në para të gatshme, të cilat nuk ishin deklaruar”, thuhet në njoftim.
Dogana ka rikujtuar se, sipas Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, çdo person që hyn ose del nga Kosova dhe bart mjete monetare në vlerë prej 10 mijë eurosh ose më shumë, është i obliguar që ta deklarojë me shkrim shumën dhe burimin e verifikueshëm të mjeteve pranë zyrtarit doganor.
“Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e kufirit doganor, zbatimin e legjislacionit në fuqi, parandalimin e kontrabandës dhe qarkullimit të paligjshëm të mjeteve monetare, si dhe në luftën kundër pastrimit të parave dhe veprimtarive të tjera të kundërligjshme”, theksohet në fund të njoftimit./teve1.info/







