Kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar se pas formimit dhe funksionalizimit të institucioneve të Kosovës, koha nuk duhet të çohet dëm, por duhet të shtohet zelli për punë.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se tashmë janë krijuar kushtet për punë pa pengesa, pas përmbylljes së procesit të formimit të institucioneve të vendit.
“Shumë energji janë harxhuar për përmbylljen e procesit të formimit dhe funksionalizimit të institucioneve të Republikës së Kosovës: konstituimit të Legjislaturës XI të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe zgjedhjes së presidentes. Mbrëmë profesoresha Justina Shiroka-Pula u zgjodh presidente, e sot pranoi zyrtarisht detyrën nga ushtruesja e deridjeshme e saj, kryetarja e Kuvendit të Republikës, znj. Albulena Haxhiu. Tani që janë krijuar kushtet për punë pa pengesa, zelli duhet të shtohet e koha nuk duhet të çohet dëm. Në shërbim të qytetarëve, për të mirën e përbashkët dhe në përmbushje të zotimeve e të programit tonë qeverisës.
Edhe një herë urime të gjithëve”, ka shkruar Kurti.
Ndryshe, Justina Shiroka Pula është inauguruar të mërkurën si presidente e Kosovës, disa orë pasi u zgjodh në këtë post nga Kuvendi, duke shmangur kështu shpërndarjen e tij dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare./teve1.info/







