Justina Shiroka-Pula është zgjedhur presidente e Republikës së Kosovës, pas një periudhe të gjatë pa president të zgjedhur nga Kuvendi.
Zgjedhja e saj erdhi pas një dite me diskutime dhe përplasje politike mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, për mënyrën se si do të zgjidhej ngërçi politik dhe do të shmangej shkuarja në zgjedhje të reja.
Pas negociatave mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, Kurti në fund propozoi Justina Shiroka-Pulën si kandidate për presidente.
PDK-ja e pranoi këtë propozim, ndërsa deputetët e saj u kthyen në sallën e Kuvendit. Palët u pajtuan që fillimisht të votohej në lexim të dytë Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe më pas të procedohej me zgjedhjen e presidentes.
Kuvendi e miratoi fillimisht në lexim të dytë ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, ndërsa më pas deputetët vazhduan me votimin për presidenten.
Pas përfundimit të procesit të votimit, Justina Shiroka-Pula u zgjodh presidente e Republikës së Kosovës me 81 vota për dhe 2 të pavlefshme.
Zgjedhja e saj erdhi pas një periudhe të gjatë të ngërçit politik, gjatë së cilës institucionet e Kosovës u përballën me vështirësi në arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit.







