Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka propozuar Justina Shiroka-Pulën për presidente të Kosovës.
Në një konferencë për media, më pak se dy orë para përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, Kurti ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme t’i votojë paraprakisht ndryshimet në ligjin për Specialen, nëse PDK-ja zotohet se do të marrë pjesë në votimin për presidente.
Kurti i ka bërë thirrje kryetarit të PDK-së, Bedri Hamzës, që të deklarojë publikisht se 22 deputetët e grupit parlamentar të kësaj partie do të marrin pjesë në votimin për president.
“Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, le të dalë publikisht sonte, pas meje menjëherë, që 22 deputetët e grupit parlamentar të PDK-së zotohen bashkë se marrin pjesë me votë në zgjedhjen për president, ne po ia votojmë projektligjin për Gjykatën Speciale paraprakisht”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, votimi për ndryshimet në ligjin për Specialen do të zhvillohej para votimit për presidentin.
“Pra jo më pas, përpara. Në një seancë me dy pika: pika e parë, leximi i dytë i projektligjit mbi Gjykatën Speciale e ka votën tonë, dhe mandej votimi për presidente, profesoresha Justina Shiroka-Pula”, ka thënë Kurti.
Ndryshe, Justina Shiroka-Pula, kandidatja e propozuar për presidente, ka qenë më herët pjesë e PDK-së.
Ajo ka shërbyer si ministre e Energjisë dhe Minierave nga viti 2008 deri më 2011, ndërsa nga viti 2011 deri më 2014 ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës./teve1.info/







