Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, u ka bërë thirrje deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që të kthehen në sallën plenare dhe të votojnë në lexim të dytë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Përmes një videoje, Tahiri ka deklaruar se PDK-ja po vazhdon nismën e saj lidhur me këtë projektligj, duke u bërë thirrje edhe qytetarëve që t’i bashkohen asaj.
Ndërkohë, Tahiri së bashku me deputetët e tjerë të PDK-së po vazhdon të qëndrojë në sallën plenare, në pritje të vazhdimit të procedurës për votimin e Projektligjit në lexim të dytë.







