Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci ka kujtuar veprimtarin dhe intelektualin Adem Beqiri, në kuadër të Mbledhjes Komemorative të mbajtur sot në Mitrovicë.
Peci ka thënë se pas 27 vitesh pritjeje dhe kërkimi për fatin e grupit të intelektualëve të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, për tri familje ankthi mori fund. Krahas Adem Beqirit, janë gjetur edhe Idriz Rrecaj dhe Salih Mëziu.
“Adem Beqiri ishte personifikim i atdhetarit, aktivistit, humanistit e shpirtit ndërmarrës, që dha gjithçka nga kapitali i tij njerëzor e material e deri në shërbim të çështjes kombëtare”, ka shkruar Peci.
Ai ka përmendur edhe kontributin e familjes së Beqirit dhe të Baca Mujanit në Itali, duke theksuar rolin e tyre në mbështetje të qytetarëve dhe të çështjes kombëtare.
Peci ka kujtuar gjithashtu Idriz Rrecajn nga Llausha e Drenicës, të cilin e ka cilësuar si një figurë të rëndësishme të kauzës kombëtare, si dhe Salih Mëziun nga Marina e Skenderajt, i cili u gjet në të njëjtën varrezë masive, ndërsa dy vëllezër të tij vazhdojnë të jenë të zhdukur.
“Lavdi jetës dhe veprës së Adem Beqirit, Idriz Rrecajt dhe Salih Mëziut! Lutemi që fati i 20 të tjerëve të zbardhet sa më parë”, ka shkruar Peci./teve1.info/







