Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës ta trajtojë me urgjencë ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Përmes një postimi, Musliu-Shoshi ka thënë se pas dërgimit të projektligjit nga Qeveria në Kuvend, tash është radha e deputetëve që ta shqyrtojnë dhe votojnë atë.
Ajo ka kërkuar që procedura të nisë në seancën e sotme të Kuvendit, duke iu referuar afatit prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve.
“Ligji duhet të trajtohet dhe të votohet në të dy leximet. Prandaj, procedura duhet të nisë SOT në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve”, ka shkruar Musliu-Shoshi.
Musliu-Shoshi ka kërkuar gjithashtu një strategji të koordinuar juridike dhe diplomatike për procesin e apelimit të vendimit të 16 shtatorit, me përfshirjen e ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë.
Sipas saj, kjo çështje duhet të trajtohet përtej ndarjeve politike dhe kalkulimeve partiake.
“Kosova duhet të flasë dhe të veprojë me një zë. Dërgimi nga Qeveria në Kuvend i plotësim-ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara është një hap i rëndësishëm. Tani është radha e Kuvendit”, ka deklaruar ajo.
Musliu-Shoshi ka theksuar se sipas saj, në këtë çështje “nuk ka pozitë e opozitë”, por bëhet fjalë për interes shtetëror.
Ajo ka paralajmëruar se mos-përfundimi i këtij procesi para një eventualiteti zgjedhor, sipas saj, mund të ndikojë në mbështetjen institucionale për ish-pjesëtarët e UÇK-së.
Qeveria e Kosovës ka proceduar më 2 tetor nismën për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, ndërsa deputetë të PDK-së kanë kërkuar që kjo çështje të jetë prioritet i Kuvendit./teve1.info.




