Plot 627 xhudistë do të paraqiten në Kampionatin Botëror që të dielën fillon në Baku të Azerbajxhanit. Do të jetë Botëror i veçantë edhe për Kosovën.
Do të kërkohet medalja e 11-të në ngjarjen globale të xhudos, ndërsa për herë të parë Kosovën e përfaqësojnë më shumë xhudistë se xhudiste.
Trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka ka përzgjedhur për Botëror, Akil Gjakovën, Dardan Cenën, Shpati Zekajn dhe Laura Fazliun. Akili e Dardani garojnë në kategorinë deri në 73 kilogramë, ndërsa Shpati në kategorinë deri në 100 kilogramë. Laura kërkon medaljen e radhës në kategorinë deri në 63 kilogramë.
Gjakova e Cena garojnë të martën, Laura Fazliu të mërkurën, ndërsa Shpati Zekaj të premten e ardhshme.
Kosovës i mungon aduti kryesore, Distria Krasniqi. Ajo është e lënduar. Por shpresohet në sukses nga të tjerët, ndonëse aktualisht nuk janë lart në ranglistë botërore.
Në mungesë të Distria Krasniqit dhe gjatë procesit të ndërrimit të gjeneratës ky megjithatë është Botërori më sfidues i viteve të fundit.
Në Botërorë të xhudos, Majlinda Kelmendi i ka dy të arta e një të bronztë. Distria Krasniqi ka një të argjendtë e dy të bronzta. Laura Fazliu i ka dy të bronzta, ndërsa Loriana Kuka e Nora Gjakova nga një të bronztë.









