Dy kompani amerikane kanë dorëzuar ofertat për projektimin dhe ndërtimin e sistemeve të baterive për ruajtjen e energjisë në Kosovë.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, përmes një postimi në Facebook.
Rizvanolli ka njoftuar se tashmë pritet të nisë procesi i vlerësimit të ofertave, me synimin që ndërtimi i baterive të fillojë gjatë vitit të ardhshëm.
Sipas ministres, sistemet e baterive do të kenë kapacitet prej 340 MWh dhe do të ndërtohen në Istog dhe Ferizaj.
“Po i afrohemi realizimit të një prej investimeve më të mëdha në sektorin e energjisë në dekadat e fundit”, ka shkruar Rizvanolli.
Projekti është pjesë e Programit Kompakt, me vlerë prej 236.7 milionë dollarësh, i bashkëfinancuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes Millennium Challenge Corporation (MCC) dhe Qeveria e Kosovës.
Ministrja ka falënderuar partnerët amerikanë, MCC-në dhe ekipin e MCA-Kosovës për, siç ka thënë, përkushtimin dhe punën e përbashkët në funksion të sigurisë energjetike të Kosovës./teve1.info/







