Ish-deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka komentuar në emisionin “Ditari” në Tëvë1 përplasjet politike mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me votimin e presidentit dhe ndryshimet në ligjin për dhomat e specializuara.
Haliti ka thënë se, sipas përshtypjes së tij, të dyja palët mund të kenë një synim të përbashkët politik dhe se zhvillimet aktuale mund ta çojnë vendin drejt zgjedhjeve.
“Unë e kam përshtypjen që të dyja palët kanë një betejë të përbashkët politike. Mënyra se si po funksionon dhe po zhvillohet debati politik në Kosovë po shkon drejt organizimit të zgjedhjeve dhe ky do të jetë përfundimi i të gjitha këtyre debateve, sipas meje”, ka thënë Haliti.
I pyetur nëse PDK-ja mund të lëshojë pe për të tejkaluar situatën aktuale politike, Haliti ka thënë se VV-ja, sipas tij, deri tani nuk ka shprehur gatishmëri për ta votuar një kandidat për president nga PDK-ja.
“Madje, dihet që VV-ja nuk është e interesuar dhe deri tash nuk ka shprehur gatishmëri për me votu presidentin nga Partia Demokratike e Kosovës. Në qoftë se është kështu, atëherë ajo ka me zgjedhë mundësi tjetër ose partitë e tjera”, ka deklaruar ai.
Haliti ka thënë se, sipas tij, PDK-ja nuk është konsultuar për mundësi të tjera dhe se VV-ja mund të mos ketë besim te partitë e tjera për zgjedhjen e presidentit.
“Edhe neve nuk na ka pyetur kush për një marrëveshje tjetër, as nga PDK-ja. Dhe unë mendoj që VV-ja nuk i beson asnjë partie që me ia dhënë presidentin, i cili mundet me u përpjekë me dalë mbi kryeministrin edhe mbi Qeverinë dhe mundet me i blloku situatat politike në Kosovë”, është shprehur Haliti.
Sipas tij, nëse nuk arrihet marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, vendi mund të shkojë në zgjedhje.
“Presidentin le ta propozojnë, ata zgjedhet, nuk zgjedhet – Kushtetuta është, i zgjidh problemet. Edhe në qoftë se nuk ka mbështetje, shkojmë në zgjedhje”, ka thënë Haliti.
Haliti është pyetur edhe për takimin mes ish-komandantit të UÇK-së, Rrustem Mustafa, dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Ai ka thënë se nuk ka informacion nëse Mustafa ka qenë i autorizuar nga PDK-ja për të zhvilluar këtë takim.
“Ai që ka pasur takim, unë nuk e di a ka qenë i autorizuar prej partisë që me mbajt një takim, Rrustem Mustafa. Edhe unë muj me shku te Albin Kurti e me bisedu. Është mirë me bisedu, sepse ata janë miq edhe ma herët, mirëpo unë nuk kam informatën që ai është i autorizuar diçka nga partia”, ka deklaruar Haliti.




