Altin Krasniqi, djali i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe ish-kreut të UÇK-së, Jakup Krasniqi, i ka reaguar ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, pas një deklarate të këtij të fundit lidhur me aktgjykimet ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Hargreaves, në një postim në Facebook, ka deklaruar se dënimet ndaj ish-krerëve të UÇK-së janë individuale dhe se ato, sipas tij, nuk e gjykojnë në asnjë mënyrë shtetësinë apo sovranitetin e Kosovës.
Në një koment në postimin e ambasadorit, Krasniqi i ka bërë thirrje atij që të verifikojë më me kujdes faktet dhe të shqyrtojë përmbajtjen e aktgjykimit para se të bëjë deklarata publike.
Krasniqi ka kundërshtuar mënyrën se si është paraqitur çështja e përgjegjësisë individuale, duke argumentuar se, sipas tij, përmbajtja e aktgjykimit tregon se të pandehurit janë dënuar në lidhje me rolet që kanë pasur si liderë politikë të organizatës ushtarake.
Komenti i plotë i Krasniqit:
I nderuar Ambasador,
Do t’ju isha mirënjohës nëse faktet do të verifikoheshin më me kujdes përpara se të bëheshin deklarata të tilla publike.
Si mund të flitet për përgjegjësi individuale, kur, siç thuhet në përmbledhjen e aktgjykimit, të pandehurit nuk janë shpallur përgjegjës për veprimet individuale për të cilat akuzoheshin, por janë dënuar në lidhje me rolet e tyre si liderë politikë të organizatës ushtarake e cila, në bashkëpunim me vendin tuaj, kontribuoi në çlirimin e Kosovës?
Në të njëjtin aktgjykim thuhet se objektivi i të pandehurve dhe i UÇK-së ishte pavarësia e Kosovës-një pavarësi e cila u arrit edhe me mbështetjen e vendit tuaj. Aktgjykimi gjithashtu trajton përdorimin e dhunës ndaj individëve që kundërshtonin këtë objektiv.
Ambasador, me respekt ju bëj thirrje që të verifikoni faktet dhe të shqyrtoni gjetjet përkatëse të aktgjykimit përpara se të bëni deklarata publike të kësaj natyre.
Deklarata të tilla nuk i bëjnë nder as juve, as vendit që përfaqësoni, një vend ndaj të cilit populli i Kosovës mbetet thellësisht mirënjohës për mbështetjen e tij historike
Hargreaves: Dënimet e Speciales në asnjë mënyrë s’e gjykojnë shtetësinë e Kosovës







