Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj një shtetasi të Republikës së Shqipërisë, me inicialet A.B., nën dyshimin për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, rasti ka ndodhur më 3 prill 2026, rreth orës 12:30, në rrugën “Megzon Boshnjaku” në Gjakovë.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri dyshohet se, me qëllim të shitjes apo shpërndarjes së paautorizuar, ka poseduar dhe transportuar substancë të dyshuar narkotike.
Sipas Prokurorisë, pas sigurimit të informacioneve, Policia e Kosovës kishte vëzhguar të pandehurin, i cili me automjetin e tij të markës “Ford Focus” ishte ndalur në parkingun e një restoranti.
Pas kontaktimit dhe identifikimit të tij nga hetuesit policorë, është kontrolluar automjeti, ku, sipas njoftimit, në ulësen e pasme janë gjetur 10 qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
Substanca është sekuestruar nga hetuesit policorë, ndërsa sipas raportit të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, pesha e përgjithshme e marihuanës së sekuestruar është 4 kilogramë e 855.9 gramë.
Prokuroria ka bërë të ditur se, me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale të përcaktuar në nenin 267, paragrafi 2, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Me rastin e ngritjes së aktakuzës, prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas zhvillimit të shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet në përputhje me ligjin.
Vlen të theksohet se bëhet fjalë për pretendime të paraqitura në aktakuzë dhe se fajësia e të pandehurit duhet të vërtetohet me vendim përfundimtar gjyqësor.







