Profesori dhe analisti Nexhmedin Spahiu ka folur në emisionin “Info Nata” për zhvillimet që lidhen me Gjykatën Speciale, të akuzuarit në Hagë dhe debatin për unitetin politik në Kuvend lidhur me këtë çështje.
Spahiu ka kritikuar mënyrën se si, sipas tij, deputetët dhe shoqëria shqiptare janë bashkuar rreth kësaj çështjeje, duke argumentuar se një unitet i tillë nuk ka sjellë ndonjë rezultat konkret për të akuzuarit në Hagë.
“Shqiptarët veç për budallak bëhen bashkë, për sene të mençme janë të ndamë, përçamë. Kurgjo s’kanë bërë me këtë, as s’u kanë ndihmuar atyre në Hagë. Vetëm sapo po bëjnë një përpjekje, e cila, në kuptimin e saj, është një ndërhyrje në drejtësi dhe kurgjo tjetër nuk është. Nuk është ndonjë send që e ndihmon as Kosovën, as të akuzuarit atje”, ka deklaruar Spahiu.
Ai ka folur edhe për funksionimin dhe vendimet e Gjykatës Speciale, duke thënë se çështja e përgjegjësisë individuale duhet të trajtohet përmes procesit gjyqësor.
“Një gjykatë speciale ka hedhur akuzat për krime kundër njerëzimit dhe, duke qenë se është i vetmi institucion i Kosovës ku ka pasur një bashkëpunim me Serbinë, Serbia ia ka çuar krejt çka ka pasur për UÇK-në”, ka thënë Spahiu.
Sipas tij, vendimet e gjykatës duhet të respektohen derisa proceset gjyqësore të përfundojnë.
“Pastaj kjo gjykatë i ka hedhur poshtë këto, duke thënë se nuk ka krime kundër njerëzimit, duke thënë se nuk e ka për detyrë Kosova ndjekjen e serbëve për krime kundër njerëzimit, por çlirimin e Kosovës, të cilat nuk i ka gjykuar si veprime të këqija në vetvete”, është shprehur ai.
Spahiu ka thënë se përgjegjësia për vrasjet dhe krimet e pretenduara duhet të përcaktohet nga gjykatat.
“Tani, a kanë vrarë shqiptarët mes vete njëri-tjetrin, a kanë vrarë shqiptarët, se kush janë përgjegjës e kush s’janë përgjegjës, tash është Gjykata e Apelit dhe ndoshta në një hap tjetër mund të lirohen ose mund t’u ulet gjykimi”, ka deklaruar ai.
Ai ka folur edhe për ndarjet në shoqërinë kosovare rreth fajësisë ose pafajësisë së të akuzuarve.
“Shoqëria shqiptare është e ndarë në tri pjesë: në ata të cilët janë të bindur në fajësinë e të akuzuarve, në ata të cilët nuk e dinë a janë të fajshëm apo të pafajshëm, dhe në ata që janë të bindur në pafajësinë e të akuzuarve”, ka thënë Spahiu.
Sipas tij, një pjesë e atyre që besojnë në pafajësinë e të akuzuarve janë shumë të zëshëm në mbrojtjen e tyre.
“Edhe ata që janë të bindur në pafajësi janë shumë të zëshëm dhe janë shumë agresivë. Madje, në brendi të tyre janë në gjendje me sakrifiku edhe autoritetin e UÇK-së dhe të Kosovës, pikërisht sepse janë të bindur në pafajësi”, ka deklaruar ai.
Spahiu ka kritikuar edhe përdorimin e shprehjes se po mbrohet UÇK-ja përmes reagimeve ndaj Gjykatës Speciale.
“Është e çuditshme që dalin e thonë ‘po e mbrojmë UÇK-në’. UÇK-ja s’ka nevojë me u mbrojtë, se ka mbrojtë vetë gjykata”, ka thënë ai.
“Ti, nëse don me i mbështetë krejt këta, dil me sloganin ‘ata janë të pafajshëm’, por këtu tonë kohën ‘jo, po rrënohet autoriteti i Kosovës’. Autoriteti i Kosovës u forcu dhe po ashtu edhe autoriteti i UÇK-së u forcu”, ka deklaruar Spahiu.
Ai ka theksuar se, sipas tij, UÇK-ja nuk duhet të paraqitet si një organizatë që ka nevojë të mbrohet përmes ndërhyrjeve politike.
“UÇK-ja e ka nderu këtë vend, e ka nderu Kosovën, nuk e ka ulë”, ka thënë Spahiu.
Më tej, Spahiu ka përmendur edhe rastet për të cilat të akuzuarit janë shpallur fajtorë nga gjykata.
“Ata janë dënuar për vrasje të rivalëve të vet politikë. A janë të fajshëm, a s’janë të fajshëm, gjykata e ka thënë që janë të fajshëm. Ndoshta Apeli thotë nuk janë të fajshëm”, ka deklaruar ai.
Spahiu ka shtuar se ekzistenca e rasteve të vrasjeve nuk mund të mohohet vetëm për shkak të debatit politik.
“Krimet kanë ndodhur. Nuk mundem me thënë që s’u vra Ahmet Krasniqi”, është shprehur ai.
Deklaratat e Spahiut kanë shkaktuar reagimin e analistit Artan Nimani, i cili ka kundërshtuar mënyrën se si profesori e ka paraqitur çështjen e UÇK-së dhe ndikimin e zhvillimeve në Hagë.
“Kur mundesh, të lutem, me thënë këtë fjalë? Se s’mundesh me thanë që iu ka rrit autoriteti UÇK-së me këto që po i thoni”, ka reaguar Nimani.
Ai ka thënë se deklarata e Spahiut e ka prekur edhe personalisht, duke përmendur plagët e marra gjatë luftës.
“Po më prekni edhe mua, sepse unë kam plagë nga lufta e UÇK-së, kam plumba në trup”, ka deklaruar Nimani.
Debati mes Spahiut dhe Nimanit u zhvillua në kuadër të diskutimit për Gjykatën Speciale, të akuzuarit në Hagë, vendimet gjyqësore dhe mënyrën se si këto çështje po ndikojnë në debatin politik dhe shoqëror në Kosovë.







