Lëvizja Vetëvendosje ka paraqitur sot në Kuvend emrat e deputetëve që do ta përfaqësojnë Grupin Parlamentar të saj në 16 komisionet parlamentare.
Propozimet janë prezantuar nga deputetja Arbërie Nagavci, pas kërkesës së Kryesisë së Kuvendit që grupet parlamentare të dorëzojnë emrat për kryetarë, zëvendëskryetarë dhe anëtarë të komisioneve.
Sipas marrëveshjes së arritur në Kryesi, 16 komisionet do të kenë nga 11 anëtarë, me përjashtim të Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, i cili do të përbëhet nga 12 anëtarë.
Nga këto komisione, tetë do të drejtohen nga deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ndër propozimet e VV-së për kryesues të komisioneve janë Enver Haliti për Komisionin për Buxhet, Vigan Qorrolli për Komisionin për Legjislacion, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni për Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Arsim Ademi për Komisionin për Mjedis, Mefail Bajqinovci për Komisionin për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku për Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Nezir Kraki për Komisionin për Kulturë, Turizëm, Sport dhe Rini dhe Arton Konushevci për Komisionin për Mirëqenie Sociale.
VV-ja ka propozuar gjithashtu emrat e deputetëve që do të shërbejnë si zëvendëskryetarë dhe anëtarë në komisionet e tjera parlamentare.
Propozimet e Lëvizjes Vetëvendosje u votuan sot në seancën e Kuvendit, duke u bërë pjesë e përbërjes së re të komisioneve parlamentare.




