Katër persona janë arrestuar në dy raste të ndara nën dyshimin për posedim të substancave narkotike në Ferizaj dhe në pikën kufitare në Vermicë.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti i parë është shënuar më 25 shtator në rrugën “Lidhja e Prizrenit” në Ferizaj.
Gjatë kontrollit të tre të dyshuarve dhe në vendbanimet e tyre, policia ka gjetur dhe konfiskuar 96.9 gramë kokainë, 0.6 gramë marihuanë, 1 mijë e 475 euro para të gatshme, si dhe një pistoletë.
Të arrestuarit janë një shtetas kosovar dhe dy shtetas të Maqedonisë së Veriut. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të tre janë dërguar në mbajtje.
Ndërkohë, rasti i dytë është raportuar rreth orës 01:30 në pikën kufitare në Vermicë.
Policia ka arrestuar një shtetas të Shqipërisë, pasi gjatë kontrollit tek ai janë gjetur dhe konfiskuar 13.49 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.
Edhe ndaj këtij personi, pas intervistimit, prokurori ka urdhëruar masën e ndalimit, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.
“Rr. Lidhja e Prizrenit, Ferizaj / 25.09.2026 – 00:10. Janë arrestuar tre të dyshuar, një mashkull kosovar dhe dy meshkuj shqiptarë shtetas të Maqedonisë, pasi që gjatë kontrollit të tyre dhe në vendbanimet e tyre janë gjetur dhe konfiskuar 96.9 gram substancë narkotike e llojit kokaine, 0.6 gram marihuanë, 1475 euro dhe një armë zjarri pistoletë. Me vendim të prokurorit pas intervistimit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport./teve1.info/







