Shefi i Shtabit të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, Gjeneral Brigade Chad Daniels, së bashku me oficerë të shtabit të tij, ka vizituar Mitrovicën e Veriut, ku nga afër ka parë angazhimin e vazhdueshëm të pjesëtarëve të Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe (MSU).
Në një njoftim zyrtar, KFOR-i bëri të ditur se vizita është pjesë e përpjekjeve të misionit për të ruajtur një prani të dukshme në terren, për të bashkëpunuar me të gjitha komunitetet dhe për të pasur një pasqyrë të qartë të zhvillimeve në aspektin e sigurisë.
Sipas KFOR-it, prania e misionit përshtatet përmes një qasjeje graduale dhe të bazuar në kushtet në terren.
Gjeneral Brigade Daniels tha se komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarët është i rëndësishëm për sigurinë.
“Siguria fillon me njerëzit. Çdo bisedë, çdo shtrëngim duarsh dhe çdo mundësi për të dëgjuar na ndihmon të kuptojmë më mirë komunitetet të cilave u shërbejmë. KFOR-i do të vazhdojë të angazhohet ballë për ballë me njerëzit nga të gjitha komunitetet anembanë Kosovës, sepse siguria e qëndrueshme ndërtohet përmes besimit, respektit dhe lidhjes njerëzore”, deklaroi Daniels.
KFOR-i theksoi se këto vizita dhe aktivitete shërbejnë për vlerësimin e vazhdueshëm të situatës së sigurisë dhe mbështesin përpjekjet për krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës.
Misioni i KFOR-it vijon të zbatojë mandatin e tij në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, me qëllim garantimin e sigurisë dhe lirisë së lëvizjes në mënyrë të paanshme.
KFOR-i vepron në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)./teve1.info/







