Kuvendi Komunal i Prishtinës ka votuar të premten për themelimin e ndërmarrjes publike komunale “Pastrimi Prishtina”, e cila do të merret me menaxhimin e mbeturinave dhe pastërtinë në kryeqytet.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka cilësuar votimin si një prej vendimeve më të rëndësishme për qytetarët e kryeqytetit.
Sipas Ramës, themelimi i ndërmarrjes së re shënon fillimin e një sistemi të ri, përmes të cilit Prishtina synon të planifikojë dhe investojë vetë, të rrisë kapacitetet dhe të ketë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për pastërtinë e qytetit.
“Kuvendi i Kryeqytetit votoi krijimin e Ndërmarrjes Komunale “Pastrimi” një prej vendimeve më të rëndësishme për qytetarët e Prishtinës. Nga një kompani rajonale që menaxhonte shërbimin për gjashtë komuna, Prishtina po kalon në ndërmarrje të vetën, të Kryeqytetit, për Kryeqytetin dhe në shërbim të qytetarëve të tij. Themelimi i kësaj ndërmarrjeje është fillimi i një sistemi të ri. Një sistem ku Prishtina planifikon vetë, investon vetë, rrit kapacitetet dhe mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për pastërtinë e qytetit”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas tij, votimi i së premtes përbën një hap drejt një zgjidhjeje afatgjatë për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet.
“Sot u votua për një zgjidhje afatgjatë për menaxhimin e mbeturinave në Kryeqytet dhe falënderoj të gjithë asambleistët që votuan për! Urime, Prishtinë! Një kapitull i ri fillon sot”, ka përfunduar Rama.
Ndryshe, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar propozim-vendimin për themelimin e Ndërmarrjes Publike Lokale “Pastrimi Prishtina” me 34 vota pro, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim./teve1.info/
Kuvendi i Prishtinës miraton themelimin e N.P.L. “Pastrimi Prishtina”







