U.D. presidentja e Kosovës, Albulena Haxhiu, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, kanë bërë homazhe te varri i heroit Afrim Bunjaku, në trevjetorin e rënies së tij.
Haxhiu, Sveçla dhe Hoxha kanë nderuar kujtimin e rreshterit të Policisë së Kosovës, i cili u vra më 24 shtator 2023 gjatë sulmit në Banjskë të Zveçanit.
Homazhet janë zhvilluar në kuadër të aktiviteteve për shënimin e trevjetorit të rënies së Bunjakut, i cili humbi jetën në krye të detyrës gjatë përleshjes me grupin e armatosur që sulmoi Policinë e Kosovës.
Më 24 shtator 2023, në Banjskë të Zveçanit, një grup i armatosur sulmoi Policinë e Kosovës. Si pasojë, rreshteri Afrim Bunjaku u vra, ndërsa dy zyrtarë policorë u plagosën.
Pas përleshjeve, Policia e Kosovës vrau tre pjesëtarë të grupit të armatosur dhe arrestoi tre të tjerë.
Në zonën përreth Manastirit të Banjskës u gjetën armë, pajisje ushtarake dhe dokumente, të cilat autoritetet e Kosovës i kanë lidhur me përgatitjen dhe organizimin e sulmit.
Dy ditë pas sulmit, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, publikoi pamje për të cilat tha se paraqisnin Milan Radoiçiqin së bashku me pjesëtarë të grupit në Manastirin e Banjskës.
Më 29 shtator 2023, Radoiçiq mori publikisht përgjegjësinë për organizimin e sulmit.
Procedurat gjyqësore
Tre vjet pas sulmit, Radoiçiq vazhdon të jetë i lirë në Serbi. INTERPOL-i kishte lëshuar ndaj tij fletarrestim më 7 dhjetor 2023, ndërsa autoritetet e Kosovës kanë kërkuar edhe ndjekjen ndërkombëtare të personave të tjerë të akuzuar që ndodhen jashtë vendit.
Më 11 shtator 2024, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj Radoiçiqit dhe 44 personave të tjerë për vepra penale që lidhen me terrorizmin, financimin e terrorizmit dhe shpëlarjen e parave.
Sipas aktakuzës, grupi akuzohet se kishte tentuar të shkëpuste veriun e Kosovës dhe ta bashkonte atë me Serbinë.
Një ditë pas përvjetorit të parë të sulmit, në Gjykatën Themelore në Prishtinë nisi procedura gjyqësore ndaj tre të akuzuarve që ndodhen në paraburgim. Ata nuk e pranuan fajësinë, ndërsa procesi gjyqësor vazhdon me administrimin e provave dhe dëgjimin e dëshmitarëve.
Për 42 të akuzuarit e tjerë, gjykata ka refuzuar që gjykimi të zhvillohet në mungesë.
Ndërkohë, në aktakuzë, Prokuroria pretendon se përgatitjet për sulmin kishin nisur më herët dhe se Radoiçiq kishte organizuar, armatosur dhe financuar pjesëtarë të grupit.
Prokuroria pretendon gjithashtu për përfshirje dhe përkrahje nga struktura të Serbisë. Këto pretendime janë pjesë e akuzave dhe do të trajtohen në kuadër të procesit gjyqësor.
Në trevjetorin e rënies së tij, Afrim Bunjaku po përkujtohet nga institucionet dhe qytetarët e Kosovës për sakrificën e tij në krye të detyrës.







