Shkrimtari Kim Mehmeti ka deklaruar se BE-ja do të zhbëhet ngjashëm me ish-Federatën Jugosllave – nëpërmjet luftës.
Ai ka thënë se në kontinentin e vjetër mund të ketë luftë.
“BE-ja do të zhbëhet ngjashëm si Federata Jugosllave dhe në Evropë do të ketë luftë. Në të vërtetë, lufta në Evropë prej moti ka filluar dhe ajo ia ‘paguan’ luftën Ukrainës, ku vriten rusë dhe ukrainas. Dhe Rusia kurrë nuk do t’ia falë Evropës që atë e futi në luftë me Ukrainën. Këtë Evropa e dinë, andaj edhe ajo bëhet gati për luftë!”, ka thënë Mehmeti në emisionin “Këndi i Kimit” në Tëvë1.
Dhe, përderisa Evropa bëhet gati për luftë ne shqiptarët përçahemi, thotë Kim Mehmeti.
“Ne shqiptarët, në vend që të bëhemi gati për më të keqen që mund të ndodhë, vazhdojmë të përçahemi e të jemi të pandjeshëm ndaj fatit tonë kolektiv. Pra në vend që të bëhemi gati për ndonjë turbullirë eventuale, nga e cila do të duhej të dilnim të bashkuar në një shtet dhe nën një flamur, ne ia lejojmë Piktorit ta nxjerrë në shitje edhe atë pakë Shqipoëri që kemi dhe u lejojmë drejtuesve partiak të Kosovës të jenë të pakujdesshëm ndaj djepit të atdhedashuris dhe patriotizmit shqiptar!” – pohon Mehmeti.
Në këtë bashkëbisedim Mehmeti ka folur edhe për atë se si disa qarqe shqiptare në Kosovë nuk e shajnë armikun serb aq sa Turqinë mike, e cila, sipas tij, gjithmonë i ka mbrojtur shqiptarët.
“Me ne shqiptarët ndodh diçka e çuditshme: lejojmë që disa qarqe antiislame dhe antiturke – veçanërisht në Kosovë – hapur ta shpërfaqin urrejtjen ndaj Turqisë, e cila jo njëherë e ka dëshmuar miqësinë ndaj popullit shqiptar. Për shembull, sikur të mos ishte Turqia, në vitin 1997, Greqia do të arrinte deri në Elbasan. Sikur të mos ishte frika nga Turqia, Serbia prej moti do të hynte në veri të Kosovës. Por kjo nuk u mjafton disa qarqeve të Kosovës që në mos më shumë të mos e mbejllin atë urrejtje patologjike ndaj Turqisë. Urrejtje që herë herë është më e madhe se ajo ndaj vrasësve serb!” – thotë shkrimtari Mehmeti.




