Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se ai, sipas tij, ka konfirmuar qëndrimet që PDK-ja i ka mbajtur gjatë kësaj periudhe.
Gruda ka deklaruar se Kushtetuta është shkelur me moskonstituimin e Kuvendit brenda afatit 30-ditor dhe se afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor.
Sipas tij, LVV-ja nuk mund t’i zhvendosë afatet kushtetuese dhe ta shtyjë vendin drejt zgjedhjeve më 27 dhjetor.
Gruda ka theksuar gjithashtu se nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së duhet të zgjidhet dhe kjo pozitë, sipas tij, nuk mund të anashkalohet.
“Tani kemi vetëm 13 ditë kohë për të vepruar: për t’i miratuar ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale, për ta zgjedhur Presidentin e Republikës dhe për t’i shmangur zgjedhjet e reja. Koha është e kufizuar dhe përgjegjësia tashmë është e qartë”, ka shkruar Gruda.
Ai ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese konfirmon, sipas tij, se afatet kushtetuese nuk janë çështje vullneti politik dhe se Kushtetuta nuk mund të përshtatet sipas interesave të momentit./teve1.info/








