Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka reaguar ndaj deklaratave të deputetës së PDK-së, Vlora Çitaku, lidhur me çështjen e Gjykatës Speciale.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Rrustemi ka kërkuar që kjo çështje të trajtohet pa kalkulime politike dhe me më shumë prioritet institucional.
Ai ka kritikuar qasjen e opozitës ndaj funksionimit të Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese, duke përmendur dërgimin e çështjeve në Kushtetuese, bojkotimin e kompletimit të Kryesisë së Kuvendit dhe më pas kërkesat për tërheqjen e lëndëve nga Gjykata Kushtetuese.
Rrustemi ka bërë thirrje për, siç ka thënë, më shumë seriozitet dhe reflektim lidhur me “gabimet fatale të së kaluarës”, duke kërkuar një strategji të bashkërenduar shtetërore për mbështetjen e procesit në Hagë.
“Vlora Çitaku, nuk është bre gjithçka kalkulim politik. Të paktën çështjes së Gjykatës Speciale t’i qasemi pa kalkulime e me pak më shumë prioritet.
Çka është kjo sjellje politike, njëherë thoni nuk kemi Kuvend, e çoni në Gjykatë Kushtetuese, bojkotoni kompletimin e kryesisë, pastaj i drejtoheni Kuvendit që e konsideroni antikushtetues dhe thuani i tërheqim kërkesat në Kushtetuese.
Ju lutem për pak seriozitet, më shumë reflektim për gabimet fatale të shkuara nga të cilat duhet të nxirren mësime dhe të kemi strategji shtetërore të bashkërenduar për mbështetje të procesit të padrejtë në Hagë”, ka shkruar Rrustemi.
Reagimi i tij vjen në kohën kur çështja e Gjykatës Speciale dhe vendimet ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë rikthyer debatet politike dhe publike në Kosovë.




