Një telefon i vogël me kabllo mbushëse dhe një substancë e dyshuar si lëndë narkotike janë gjetur gjatë kontrolleve të sigurisë në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.
Sipas njoftimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK), kontrollet janë realizuar bazuar në informatat e siguruara nga Njësia e Inteligjencës Korrektuese dhe Sektori i Sigurisë, me qëllim të parandalimit dhe identifikimit të mjeteve të ndaluara dhe materialeve të palejuara.
Kontrollet janë kryer nga zyrtarët e Sigurisë së Qendrës dhe kanë përfshirë hapësirat e brendshme, si dhe perimetrin e institucionit.
“Gjatë kontrollit janë gjetur një telefon mini me kabllo mbushëse, si dhe një substancë e dyshuar si lëndë narkotike”, thuhet në njoftimin e ShKK-së.
Sipas institucionit, të gjitha sendet e gjetura janë sekuestruar dhe më pas i janë dorëzuar Policisë së Kosovës për procedim të mëtejshëm.
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë me kontrollet e rregullta dhe masat parandaluese në institucionet korrektuese.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës mbetet i përkushtuar në realizimin e kontrolleve të vazhdueshme dhe masave parandaluese, me qëllim ruajtjen e sigurisë dhe parandalimin e futjes së kontrabandës në institucionet korrektuese”, thuhet në njoftim.




