Pas mobilizimit të shqiptarëve në diasporë dhe protestave të zhvilluara në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë, ka reaguar Daut Haradinaj.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka shprehur mirënjohje për mërgatën shqiptare, duke kujtuar kontributin e saj gjatë luftës dhe duke vlerësuar angazhimin e saj edhe në ditët e sotme.
Ai ka theksuar se diaspora ka qenë një nga mbështetësit kryesorë të përpjekjeve për çlirimin e Kosovës.
“Në ditët më të errëta, kur shpresa kërkonte krahë, ishin pikërisht vëllezërit dhe motrat tona në Diasporë që u bënë shtylla, zëri dhe mbështetja më e madhe për çlirim”, ka shkruar Haradinaj.
Sipas tij, mobilizimi i fundit i mërgatës tregon se shqiptarët jashtë vendit vazhdojnë të jenë të lidhur me zhvillimet dhe të ardhmen e Kosovës.
“Sot, Diaspora shqiptare po zgjohet sërish me të njëjtin zjarr e përkushtim. Edhe një herë po e dëshmojnë me vepra, me zë të lartë e me zemër të hapur, se nuk janë vëzhgues të historisë, por gardianë të saj”, ka deklaruar ai.
Haradinaj ka thënë se mbështetja e mërgatës po shprehet për Kosovën, lirinë dhe ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ata po na tregojnë se janë me ne, me lirinë, me shtetin tonë dhe me çlirimtarët që dhanë gjithçka për këtë ditë”, ka shkruar ai.
Në fund të reagimit, Haradinaj ka falënderuar diasporën për mobilizimin dhe mbështetjen, duke e lidhur atë me sakrificën dhe kontributin historik të shqiptarëve jashtë Kosovës.
“Po, Liria Ka Emër, e ka edhe emrin edhe Mërgatë, e ka emrin sakrificë dhe ka prapa një popull të tërë, këtu e në çdo cep të botës, që sot po e mbron Luftën Çlirimtare, UÇK-në, me krenari dhe dinjitet. Faleminderit, Diaspora jonë! Kur jemi bërë bashkë, asnjë sfidë nuk na ka thyer dot, dhe as sot nuk do të na thyejë”, ka përfunduar Haradinaj./teve1.info/




