Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka shpërndarë njoftimin e kryeministrit Albin Kurti lidhur me identifikimin e tri viktimave të luftës përmes analizave të ADN-së.
Kurti ka bërë të ditur se Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur ka pranuar tri raportet e para të ADN-së nga mostrat e mbetjeve mortore të zhvarrosura në lokacionet e varreve masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin-Potokut.
Sipas Kurtit, analizat kanë konfirmuar identitetin e tri viktimave, të cilat lidhen me grupin e njohur si “Grupi i Intelektualëve”, kryesisht qytetarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të rrëmbyer dhe zhdukur me dhunë më 19 prill 1999.
Kurti ka thënë se familjet e tri viktimave tashmë janë njoftuar për identifikimin, ndërsa në ditët dhe javët në vijim priten edhe rezultatet e tjera të analizave të ADN-së.
Në postimin e tij, Sveçla ka theksuar:
“Zbardhja e fatit të çdo personi të zhdukur me dhunë është prioritet shtetëror i Republikës së Kosovës dhe detyrim njerëzor, që mbetet i hapur për sa kohë qoftë edhe një familje pret përgjigje.”
Ai e ka shpërndarë kështu njoftimin e kryeministrit Kurti për identifikimin e tri viktimave./teve1.info/




