Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, gazetarja Florjeta Dernjani, drejtpërdrejt nga protesta, ka sjellë detaje nga tubimi ku e pranishme ishte edhe deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj.
Kadriaj ka folur për dënimet e ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se dënime të tilla, sipas saj, nuk janë dhënë për kriminelët serbë të akuzuar për krime gjatë luftës në Kosovë.
“Mua po më pëlqen një reagim i tillë, edhe kur po shoh të rinj që janë lindur pas luftës dhe që luftën e UÇK-së e kanë të shenjtë. Po shoh që janë duke brohoritur për katërshen e UÇK-së, po shoh duke brohoritur për UÇK-në dhe për gjithë heronjtë e kombit me radhë. Është e drejtë, është legjitime kjo që po bëjnë të rinjtë.Por për këtë që po bëhet, sepse dje është bërë një padrejtësi. Kosova dhe ushtarët e UÇK-së kanë bërë luftë të drejtë dhe luftëtarët e saj. Ajo që ka ndodhur është një marrëzi, nuk është dashur të ketë dënime të tilla.Dënime të tilla nuk janë dhënë as për kriminelët serbë, të cilët kanë vrarë, kanë masakruar, kanë bërë krime në Kosovë dhe kanë dhunuar. Nuk ka pasur dënime të tilla. Ndërsa për kosovarët që kemi qëndruar në vendin tonë dhe kemi luftuar për liri e pavarësi, të shqiptohen dënime të tilla, kjo është nonsens”, ka thënë Time Kadrijaj nga protesta.
Protesta është mbajtur në shenjë kundërshtimi ndaj dënimeve të ish-krerëve të UÇK-së.







