Këshilli i Ambasadorëve të Kosovës ka reaguar pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të shpallur më 16 shtator 2026 nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në një deklaratë publike, Këshilli ka shprehur “shqetësim dhe indinjatë” lidhur me vendimin, duke ngritur një sërë çështjesh që, sipas tij, kërkojnë shqyrtim të detajuar gjatë fazës së apelimit.
Këshilli ka vënë në pikëpyetje kohëzgjatjen e paraburgimit dhe të procedurave gjyqësore, strukturën e veçantë të Dhomave të Specializuara, si dhe mënyrën e përdorimit të konceptit juridik të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale” dhe provave rrethanore në përcaktimin e përgjegjësisë individuale.
Sipas deklaratës, këto elemente “ngrenë pyetje serioze për procesin e rregullt gjyqësor dhe proporcionalitetin”.
Këshilli ka deklaruar gjithashtu se nuk është bindur se në këtë proces është përmbushur standardi i fajësisë “përtej dyshimit të arsyeshëm”.
“Kosova pranoi një mekanizëm të jashtëzakonshëm gjyqësor në emër të drejtësisë dhe sundimit të ligjit”, thuhet në deklaratën e Këshillit.
Sipas tij, pritjet e qytetarëve të Kosovës kanë qenë që procesi gjyqësor të karakterizohej nga standarde të larta të provave dhe integritet gjyqësor.
“Këshilli vlerëson se populli i Kosovës është i zhgënjyer që Dhomat e Specializuara nuk kanë përmbushur pritjet për drejtësi, rigorozitet të provave dhe integritet gjyqësor”, thuhet më tej.
Në deklaratë, Këshilli ka rikujtuar edhe rrethanat në të cilat u shfaq Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke theksuar se ajo erdhi pas viteve të represionit, përndjekjes dhe dhunës ndaj popullsisë së Kosovës.
Sipas Këshillit, lufta e UÇK-së ishte pjesë e një përpjekjeje për mbijetesë dhe liri, e cila më pas çoi edhe në ndërhyrjen ndërkombëtare në Kosovë.
Duke iu referuar formulimit të aktgjykimit, ku vendimi është shpallur “në emër të popullit të Kosovës”, Këshilli ka shprehur kundërshtimin e tij.
“Vendimi u shpall ‘në emër të popullit të Kosovës’, por reagimi i gjerë në Kosovë ka qenë i qartë dhe ne e ndajmë atë: Jo në emrin tonë”, thuhet në deklaratë.
Këshilli i Ambasadorëve të Kosovës ka kërkuar që në fazën e apelimit të bëhet një shqyrtim rigoroz i arsyetimit juridik dhe standardeve të provave të aplikuara në rastin e ish-krerëve të UÇK-së.
Po ashtu, u është bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të ndjekin nga afër fazat e mbetura të procesit dhe të shqyrtojnë me kujdes zhvillimet e mëtejshme.
Në fund të deklaratës, Këshilli u ka bërë thirrje qytetarëve që reagimet e tyre t’i shprehin “me qetësi, dinjitet dhe përmbajtje”, duke theksuar rëndësinë që zërat e tyre të dëgjohen në mënyrë të qartë dhe paqësore.
“Këshilli qëndron me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin dhe familjet e tyre”, përfundon deklarata.







