Gjykata Speciale ka dënuar me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, me 18 vjet burgim Kadri Veselin dhe me 13 Rexhep Selimin. Ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Profesori i Universitetit “Johns Hopkins”, Edward P. Joseph, e ka cilësuar shokues vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë.
Në një intervistë në “ABC News”, Joseph u shpreh se këtë vendim, Serbia do e përdorë për të diskretituar UÇK-në dhe veprimtarinë e saj.
Joseph shtoi se Serbia dhe aleatët e saj, Rusia dhe Kina, do përpiqen ta izolojnë edhe më shumë Kosovën.
“Kjo gjë do të përdoret nga Serbia si mjet për të diskretituar UÇK, veprimtarinë e saj. Do të përdoret nga Rusia dhe Kina. Do përpiqen ta izolojnë edhe më shumë Kosovën. Ne kemi parë këtë muaj në Serbi, që është nderuar imazhi i këtij personazhi, kemi parë ceremoni, është përdorur gjuhë urrejtjeje në Beograd. Ne kemi dëshmuar sesa të gjata janë dëmet që janë dhënë. Dënimi nuk është i barabartë me dënimet që kanë marrë figurat serbe, që kanë kryer krime”, theksoi ai.




