Gazetari Bahri Cani, duke raportuar nga Haga për Tëvë1, ka folur për vendimin që pritet të merret nesër ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Cani ka thënë se rëndësi të veçantë do të ketë mënyra se si do të formulohet aktgjykimi, duke theksuar se vendimi mund të përmbajë edhe një përcaktim të përgjegjësisë individuale.
Sipas tij, në aktakuzë flitet për përgjegjësi kolektive dhe për një organizatë të përbashkët që dyshohet se ka qenë përgjegjëse për kryerjen e krimeve.
“Nëse nesër do të nxirret një vendim, varet se si formulohet aktgjykimi, sepse në aktgjykim mund të thuhet edhe kjo, mirëpo mund të gjendet edhe një përgjegjësi tjetër, ku mund të thuhet individuale. Sepse, sa kam parë aktakuzën, këtu flitet për përgjegjësi kolektive, pra për një organizatë të përbashkët që dyshohet për krimet. Edhe nëse gjykimi bazohet tek kjo, do të ishte një gjykim shumë i rëndë për Kosovën, për vetë shtetin e Kosovës dhe për të kaluarën e Kosovës e të UÇK-së”, ka thënë Cani.
Ai ka shprehur shpresën që vendimi të jetë i drejtë dhe se në të do të merren parasysh të gjitha dokumentet dhe provat e paraqitura gjatë procesit gjyqësor.
“Unë shpresoj që vendimi të jetë i drejtë dhe të merren parasysh të gjitha dokumentet”, ka përfunduar Cani.







