Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese të vendosë masën e përkohshme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re pas dorëzimit të dy kërkesave të PDK-së.
Vullnet Bugaqku nga KDI tha se vendosja e masës së përkohshme është e domosdoshme për shkak të dilemave se a është konstituar kuvendi në përputhje me Kushtetutën.
“Gjykata Kushtetuese e ka mandat ex officio me përcaktu masën e përkohshme. Ata mund të vlerësojnë situatën dhe rrethanat edhe nëse s’ka fare kërkesë. Nëse ata e vlerësojnë se me rastin e konstituimit të parlamentit ose të konsiderimit të konstituimit të Kuvendit, veprimet e mëtutjeshme në Kuvend mund të sjellin dëme të pariparueshme… besojmë se vendosja e një mase të tillë do të parandalonte çfarëdo lloj efekti dhe do të pezullonte aktivitetin e Parlamentit të Kosovës deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.”
Krahas kësaj, në konferencën për media të martën nga KDI kërkuan nga kushtetuesja të sqarojë edhe pasojat juridike për moskonstituimin e Kuvendit në afatin 30-ditor prej certifikimit të zgjedhjeve.
“Sa i përket çështjes së afateve, KDI nuk vlerëson se shkelja e këtyre afateve ka pasojë të drejtpërdrejtë në shpërndarjen e Kuvendit, por një opsion i tillë duhet të merret parasysh nga Gjykata Kushtetuese në kuadër të rastit që është dërguar për konstituimin e Kuvendit, por edhe rasteve të tjera që do të dërgohen ditëve në vijim”, tha ai në konferencë për media të martën, ku u publikua analiza “Konstituimi i Kuvendit pas skadimit të afatit kushtetues – Mes nevojës për funksionalitet institucional dhe respektimit të rendit kushtetues”.
Konstituimin e Kuvendit më 13 shtator dhe formimin e Qeverisë së re, Partia Demokratike e Kosovës i ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese, ku, sipas tyre, të njëjtat janë formuar në shpërputhje me Kushtetutën.







