Drejtori i Global Crisis Group, Ilir Kulla, ka folur në emisionin “Matrix”, të moderuar nga Mehmet Kalisi në Tëvë1, për verdiktin përfundimtar ndaj ish-krerëve të UÇK-së, i cili pritet të shpallet të mërkurën në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Kulla ka thënë se, pavarësisht rezultatit, shpreson që ish-krerët e UÇK-së të kthehen në shtëpitë e tyre dhe te familjet.
“Si do që të jetë ky rezultat, sigurisht unë shpresoj që këta të kthehen në shtëpi dhe të shkojnë te fëmijët e tyre, sepse u bë shumë, u bënë gjashtë vite. Sido që të jetë ky rezultat, do të jetë një rezultat historik, me ndikime të pakthyeshme për Kosovën pas gjashtë vitesh proces”, ka thënë Kulla.
Ai ka kritikuar mënyrën e funksionimit të Dhomave të Specializuara, duke thënë se procesi, sipas tij, ka nisur me padrejtësi dhe mund të përfundojë në të njëjtën mënyrë.
“Unë do të them atë që kam thënë: kur është bërë kjo gjykatë, shumë njerëz që e mbështetën krijimin e kësaj gjykate do t’i bien kokës me grushta dhe do t’i vënë gishtin kokës, do t’u vijë turp nga ajo që kanë bërë. Do të them që kjo gjykatë u krijua me qëllimin final, si një nga gurët për t’iu hequr muret që po ngrihen shtetit të Kosovës dhe ky ishte njëri nga muret themeltarë, sepse prioriteti i politikës së Serbisë, si të jashtme ashtu edhe të brendshme, është zhbërja e shtetit të Kosovës”, është shprehur ai.
Kulla ka thënë se nuk mund të parashikojë rezultatin e aktgjykimit, por ka shprehur shqetësimin e tij për mënyrën se si është zhvilluar procesi.
“Nuk mund të bëj dot një parashikim për rezultatin. Vetëm mund të them se diçka që nisi me padrejtësi dhe vijoi me padrejtësi, nuk është ndonjë çudi që të vazhdojë me padrejtësi dhe të përfundojë me padrejtësi”, ka deklaruar Kulla.
Ai ka përsëritur shpresën që ish-krerët e UÇK-së të kthehen në shtëpitë e tyre pas gjashtë vitesh paraburgim dhe proces gjyqësor.
“Shpresojmë që këta njerëz të kthehen në shtëpitë e tyre dhe ky kapitull të mbyllet. Shumë njerëz menduan se do të shkonin për dy javë dhe do të ktheheshin, mirëpo kaluan gjashtë vite”, ka thënë ai.
Kulla ka kritikuar edhe kohëzgjatjen e paraburgimit dhe kushtet në të cilat, sipas tij, janë mbajtur ish-krerët e UÇK-së.
“Në historinë e gjykatave speciale zakonisht ka pasur gjithmonë gjemba. Shpresoj që në rastin konkret të mos ketë. Unë i njoh të katër. Është e tmerrshme që një njeri i sëmurë, në moshën e Jakup Krasniqit, të mos i jepet e drejta që paraburgimin ta vuajë në ndonjë klinikë ose në arrest shtëpie. Është e tmerrshme”, ka thënë Kulla.
Ai ka përmendur edhe rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, duke kritikuar kohën e gjatë të qëndrimit të tyre në paraburgim.
“Është e tmerrshme që presidentit të Republikës, kryeministrit dhe politikanit Hashim Thaçi nuk iu dha e drejta të qëndronte pranë tij në shtratin e vdekjes, teksa ai po përfundonte jetën. Të njëjtin fat e pati edhe Kadri Veseli, që është babai i katër fëmijëve. Të gjithë përfunduan dhe, në fund, Rexhep Selimi, i cili gjithashtu ka qenë gjashtë vite në paraburgim. Ti mendon që nuk kishte asnjë shansë tjetër për paraburgim? Nuk ka vend tjetër në botë që të zgjatet paraburgimi në këtë mënyrë. Prandaj është e tmerrshme, familjet e tyre po e vuajnë”, ka deklaruar Kulla.







