Këtë përshkrim ia ka bërë “Reuters” shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Me kaq shumë rëndësi, këtë ngjarje po e trajton edhe ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.
Prandaj, sot ambasada lëshoi një njoftim, përmes së cilit paralajmëroi se më 16 shtator në gjithë Kosovën mund të ketë demonstrata.
“Disa organizata po planifikojnë demonstrata të mëdha për të mërkurën, më 16 shtator, në qendër të Prishtinës dhe qytete të tjera të mëdha të Kosovës. Këto demonstrata mund të shkaktojnë turma të mëdha, mbyllje rrugësh dhe ndërprerje të rënda të trafikut”, thuhet në njoftimin e Ambasades Amerikane.
Prandaj, ambasada pati një thirrje për shtetasit amerikanë.
“Këshillohet të kufizoni udhëtimin në zonën e banesës suaj dhe të shmangni udhëtimin drejt vendit të punës dhe shkollave nëse rruga juaj kalon nëpër zona të prekura, pasi mund të mos jeni në gjendje ta përfundoni udhëtimin në kohë”, thuhet tutje ne njoftimin e ambasades Amerikane.
Këtë paralajmërim, eksperti i sigurisë, profesori Fatmir Qollaku, e sheh si një alarm të zakonshëm të ambasadës, për ngjarje të rëndësishme si ajo e 16 shtatorit.
“Ambasada amerikane edhe në shtete në regjion por edhe tek ne, ata e kanë një kujdes të shtuar ndaj qytetarëve të vet dhe paralajmërimet janë në një funksion të një kujdesi të shtuar të qytetarëve të vet kryesisht që ti shmangen udhëkryqeve, vendeve me frekuentuese apo vendeve me të ndishme nga këndvështrimi i përshkallëzimit eventual të situatës”, ka deklaruar eksperti i sigurisë, Fatmir Qollaku.
Masa shtesë për të mërkurën, ka ndërmarrë edhe Policia e Kosovës.
“Planifikimi dhe ndërmarrja e masave të sigurisë në rastet kur pritet të ketë zhvillime, aktivitete, apo pjesëmarrje të madhe të qytetarëve, hartimi dhe implementimi i planeve policore janë pjesë e procedurave të rregullta policore, që shërbejnë në interes të sigurisë së përgjithshme”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Profesori Qollaku tregon se planet operative në ngjarje të mëdha, janë një veprim i domosdoshëm i organeve të rendit.
“Në qoftë se ndodh ndonjë vendim tjetër, një aktgjykim tjetër pra atëherë është normal që shqetësimi ka me qenë i madh i qytetarëve të Kosovës i shtetasve tanë dhe gjithë atyre që e dinë peshën e UÇK-së. 02:02 – Policia e Kosovës në çdo situatë pak ma delikate mund të ketë dyshime për përshkallëzim të situatës, dhe hartojnë planin operativ. Dhe për datën 16 informacionet të cilat kanë ardhur dhe që janë përhapur janë të natyrës që Policia e Kosovës pra është mobilizuar në nivel detyre, dhe do të jetë në ballë te detyres për ruajtje të rendit dhe qetësisë publike”, tha tutje Qollaku.
E në qytetet e Kosovës, tashmë kanë nisur përgatitjet për 16 shtatorin.
Në Lipjan, para objektit të komunës është vendosur një flamur gjigant.
E në Prishtinë, shpallja e aktgjykimit do të mund të përcillet në një ekran gjigant.






