Policia e Kosovës ka njoftuar se ka ndërmarrë masat e nevojshme të sigurisë për zhvillimet e parapara më 16 shtator, kur pritet të shpallet verdikti përfundimtar i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Sipas Policisë, masat kanë për qëllim garantimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve që mund të zhvillohen në këtë datë.
Policia ka bërë të ditur se do të angazhojë njësi të ndryshme policore për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe zhvillimin e qetë të aktiviteteve. Në varësi të situatës, mund të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në rrugët ku mund të zhvillohen aktivitete apo tubime.
“Policia e Kosovës, lidhur me zhvillimet e parapara për datën 16 shtator, ku pritet të merret verdikti përfundimtar i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ka ndërmarrë masat e nevojshme policore për ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit e qetësisë publike si dhe mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve që parashihen”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në kuadër të përgatitjeve, bëhet e ditur përmes një komunikate për media se menaxhmenti i Policisë së Kosovës ka zhvilluar takime informuese dhe koordinuese me drejtues të departamenteve, divizioneve dhe drejtorive rajonale, si dhe me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë KFOR-in, EULEX-in, përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së, Zyrës së BE-së dhe OSBE-së.
“Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare dhe legjislacionit në fuqi, do të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët pa dallim, si dhe do të angazhohet me njësi policore, në mënyrë që mbarëvajtja e të gjitha aktiviteteve dhe zhvillimeve të mundshme të kalojnë të qeta dhe pa incidente. Varësisht nga aktivitetet dhe zhvillimet e mundshme, mund të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në rrugët e prekura nga aktivitetet, andaj Policia e Kosovës ka paraparë edhe angazhime të njësive policore patrulluese të trafikut, në rast të nevojës për riorientim të trafikut në rrugët alternative”, thuhet tutje në njoftimin e policisë
Policia në përfundim të këtij njoftimi bëmë të ditur se zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren për të garantuar rendin kushtetues dhe sigurinë publike në vend.




