Ylli i Kombëtares së Kosovës, Edon Zhegrova ka shënuar golat e parë me fanellën e skuadrës së Juventusit.
Zhegrova realizoi dy gola për Juventusin, ekip që në minutat shtesë të ndeshjes u mposht në udhëtim nga Sassuolo, të dielën mbrëma në kuadër të kampionatit italian.
Zhegrova u inkuadrua në minutën e 60-të në vend të Francisco Conceicaos, ndërsa golat i realizoi në minutat 82-të dhe 90-të për të barazuar rezultatin dy herë për Juventusin, që në fund pësoi humbjen e parë këtë sezon.
Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, ka folur për Zhegrovën pas ndeshjes, duke treguar se kur ai është i pandalshëm dhe çka i mungon.
“Ai bëhet i pandalshëm dhe i paparashikueshëm kur krijon situata ‘një kundër një’ në hapësira të ngushta. Sigurisht, mund të humb ndonjë top të lehtë dhe i mungon cilësia mbrojtëse për t’u kthyer prapa në krah. Por nëse luan lojë sulmuese, ai është lojtar i jashtëzakonshëm”, ka thënë Spalletti.
Zhegrova ka pasur një verë të vështirë pasi për javë të tërë është raportuar për një largim të tij nga Juventusi, përpara se të lihet jashtë listës së ekipit për Ligën e Evropës.
Pas tri paraqitjeve në Serie A këtë sezon, Zhegrova tani ka dy gola dhe mbetet kandidat serioz për një vend titullari në ndeshjet e ardhshme.




