Edon Zhegrova është vlerësuar lartë nga mediumet në Itali për paraqitjen që e pati ndaj Sassuolos, ndeshje të cilën Juventusi e humbi 3:2, të dielën mbrëma.
Mediumi i afërt me Juventusin, gazeta “Tuttosport”, e ka vlerësuar Zhegrovën me notën 7.5 për paraqitjen e tij kundër Sassuolos.
Në fakt, kjo ishte edhe nota më e madhe e të gjithë lojtarëve kurse Zhegrova mori këtë vlerësim për 30-të minuta në fushë, gjatë të cilave shënoi dy herë duke barazuar rezultatin e takimit në dy raste.
“Dy golat e tij të parë për një klub italian, të shënuar vetëm pak ditë pasi u la jashtë listës së skuadrës për garat e UEFA-s. Ajo tronditje ishte pikërisht gjëja që duhej për të zgjuar instinktet e një lojtari vërtet të madh”, ka shkruar “Tuttosport” në vlerësimin për Zhegrovën.
Ndërkohë, medium italian ka shtuar se nëse Zhegrova vazhdon me formën aktuale, atëherë pritet të jetë startues i padiskutueshëm te Juventusi.
“I takon atij të sigurojë që kjo të mos shënojë thjesht një fillim të ri, por fillimin e ‘vërtetë’. Në këtë formë, ai do bëjë ndryshim të jashtëzakonshëm”, ka shkruar “Tuttosport”.










