E diela e 6 shtatorit rezultoi të jetë fatale për një grua në Poterq të Klinës.
Vëllau i saj me probleme mendore, dyshohet se i vuri flakën krevatit në të cilin po qëndronte ajo.
Kjo e fundit, për pasojë nga plagët e marra, vdiq një ditë pas.
Në të njëjtën kohë, i dyshuari më pas në një dhomë tjetër, kishte sulmuar me mjet të fortë edhe nënën e tij.
Të tilla raste të dhunës në familje, vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, u raportuan mbi 1 mijë e 300 raste.
Sipas specialistit të psikologjisë klinike, Ilir Havolli, problemet e shëndetit mendor nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht se një person është i dhunshëm.
“Problemet e shëndetit mendor mund të ndikojnë në kontrollin e emocioneve, në impulsivitet dhe në mënyrën e reagimit ndaj konflikteve. Por kjo nuk do të thotë se personi me problem të shëndetit mendor është i dhunshëm. Rreziku rritet atëherë kur këto probleme shoqërohen me alkool ose me substanca, me histori dhune, me stres të madh, me konflikte familjare dhe me mungesë trajtimi”, tha Ilir Havolli.
Sipas Havollit, shëndeti mendor vazhdon të mbetet i stigmatizuar.
“Ka një ndërgjegjësim më të madh për shëndetin mendor, por stigma dhe mungesa e informacionit akoma mbeten problemet kryesore. Ndërhyrja e hershme është shumë e rëndësishme, por nuk mjafton asnjëherë një ndërhyrje e vetme, por nevojitet një vlerësim profesional, trajtim dhe ndjekje e vazhdueshme në bashkëpunim me familjen dhe institucionet”, deklaroi Ilir Havolli.
Të njëjtin mendim ndan edhe sociologu Genc Xërxa.
“Është në një far forme stigma, pra është një lloj presioni social apo nga rrethi, për ta pranuar dhe për ta trajtuar në mënyrë profesionale. Dhe në anën tjetër kemi një lloj relativizim apo shmangie e problemeve, duke ditur që me rastet duhet të merren profesionistët, dhe të gjithë njerëzit kompetentë që merren me probleme të shëndetit mendor të tillë. Pra, ne u jemi në një mbikëqyrje permanente kur kemi raste të tilla, sidomos kur kemi të bëjmë edhe me raste agravuese, kur u keqësohet gjendja edhe shpërfaqin pra indikacione të dhunës, të cilat pastaj mund këtu të kontrollojnë në rrethet ku ata frekuentojnë apo brenda qarqeve të familjes”, vlerësoi Xërxa.
Sipas Xërxës, nevojitet të bëhet një regjistër me të gjitha këto raste.
“…duhet të monitorohen, të trajtohen, të përcillen për me mujt me u kthye apo me u ri-socializuar në qarqet e tyre, qoftë e ta brenda familjes apo në rrethet e ndryshme ku frekuentojnë. Duke mos pasur qasje proaktive apo monitorim, vëzhgim, trajtim dhe përcjellje të rasteve të tilla, atëherë situata mund të agravojë, ndërsa familjarët janë laikë. Ata kanë për detyrë vetëm të raportojnë dhe të drejtojnë qarqve të ndryshme, institucione që merren me shëndetin mendor, ata duhet të miqen te kështu lloj problematika, mos t’ju mbetet barra familjeve të tyre”, theksoi ai.
Aktualisht, sipas të dhënave nga Policia e Kosovës, aktive janë 69 urdhër mbrojtje me monitorim elektronik.
“Sa i përket të dhënave lidhur me mbikëqyrje elektronike të urdhrave mbrojtës, që nga fillimi i zbatimit të sistemit të mbikëqyrjes elektronike dhjetor 2024, janë lëshuar nga Gjykata dhe mbikëqyrur nga Policia: 170 urdhra mbrojtjeje me monitorim elektronik, ku 69 urdhër mbrojtjeje me monitorim elektronik janë aktiv”, tha Genc Xërxa.
Televizioni ka kërkuar të dhëna edhe nga Shërbimi Korrektues i Kosovës lidhur me numrin e personave të cilët janë në mbajtje për këtë vepër, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e kronikës.
Adea
FB/YT
Problemet me shëndetin mendor – mbi 1 mijë e 300 raste të dhunës në familje
(Pamje Autoriale)






