Pas katër orësh, deputetët u paraqitën përsëri në Kuvendin e Kosovës.
Por, kësaj radhe për formimin e Qeverisë së re.
Andaj, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e mandatoi Albin Kurtin për formimin e Qeverisë së re.
Por, kësaj radhe, përveç deputetëve të Aleancës e Partisë Demokratike të Kosovës, munguan edhe ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Megjithatë, prania e 70 deputetëve ishte e mjaftueshme që të votohej Qeveria e re, e udhëhequr nga Albin Kurti.
Me 62 vota për, 8 kundër dhe asnjë abstenim, Kurti mori mandatin e katërt si kryeministër i Kosovës.
Me t’i siguruar votat, fjalën e mori shefi i qeverisë Albin Kurti.
Fjalimin e tij, Kurti e nisi duke folur për procesin në Hagë.
“Jemi në ankth. Kërkesa e Prokurorisë është e padrejtë dhe e pabesueshme, është në shpërputhje me të vërtetën historike të popullit tonë dhe drejtësinë e luftës sonë çlirimtare. Qëndrimi i Qeverisë është i njëjtë dhe i qartë: në Kosovë janë kryer krime lufte dhe gjenocid ndaj popullatës civile shqiptare. Ato i ka kryer regjimi i Jugosllavisë së Serbisë nën Millosheviqin. Asnjë gjykatë vendore apo ndërkombëtare nuk mund ta njollosë UÇK-në”, tha Albin Kurti.
Pas kësaj, kryeministri Kurti prezantoi ekspozenë e Qeverisë së re, duke përmendur arritjet e mandatit të kaluar në ekonomi, masat sociale dhe mbështetjen për sektorë të ndryshëm.
Ndërsa, tutje paraqiti edhe premtimet e tij për këto mandate.
“Shtesat për fëmijë që sot janë 30 apo 45 euro për fëmijë, në mandatin e ardhshëm do t’i dyfishojmë. Në mandatin e radhës, nga 45 në 90 euro për fëmijë te familjet me tre e më shumë fëmijë. Me këtë rritje do të lëmë prapa edhe disa shtete të BE-së sa i përket shtesave. Po ashtu, edhe shtesat për nënat e reja dhe lehonat, nga 1 korriku i kemi rritur për 500 euro për gjashtë muaj”, theksoi Albin Kurti.
Premtim tjetër ishte edhe transformimi ekonomik dhe industrial i Kosovës.
“Të nisim transformimin më të madh ekonomik e industrial në vendin tonë. Prodhimi është themeli i zhvillimit tonë ekonomik. Banka zhvillimore do t’i financojë drejtpërdrejt projektet strategjike, do t’i mbështesë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përmes bankave dhe do t’u japë prodhuesve dhe eksportuesve letër garancie për pagesa. Programi prej 1 miliard eurosh për prodhim dhe industri do të garantojë kredi për investime në kapacitete të reja”, deklaroi i pari i Qeverisë.
Tutje, u premtua ndarja e 1 miliard eurove për ushtrinë gjatë katër viteve të ardhshme.
Synim tjetër u përmend përmbyllja, deri në vitin 2030, e kapitujve të integrimit në Bashkimin Evropian dhe përparimi drejt bisedimeve për anëtarësim në union.
Gjithashtu, Kurti theksoi angazhimin për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë dhe hapjen e arkivave nga Shqipëria.
Pas përfundimit të prezantimit të programit, Kurti prezantoi edhe kabinetin qeveritar.
Edhe në mandatin për formimin e Qeverisë së re, Kurti nuk ka bërë ndryshime në përbërjen e ministrive nga qeveria e kaluar.
Edhe pse nuk ishin të pranishëm në këtë seancë, deputetët e LDK-së nuk u ndanë të kënaqur me programin e Qeverisë së re.
Nga holli i Kuvendit, deputeti Armend Zemaj tha se ky program është i njëjtë me atë të qeverisë së kaluar, duke e cilësuar si “mashtrime të dëshifruara”.






