Organizatorët e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, kanë deklaruar gjatë “Marshit për Liri” se presin që më 16 shtator të ketë lirimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Duke iu drejtuar qytetarëve të mbledhur në Prishtinë, Hoxha ka theksuar se marshimi i sotëm është në mbështetje të UÇK-së dhe atyre që, sipas saj, kontribuuan në çlirimin e Kosovës.
“Sot marshojmë me UÇK-në për UÇK-në. Kosova po pret drejtësi, dinjitet”, ka thënë Hoxha.
Ajo ka bërë një paralele mes “Marshit të Lirisë” të vitit 1999 dhe marshimit të sotëm, duke thënë se qytetarët po marshojnë për lirinë e atyre që sollën lirinë e Kosovës.
Ndërsa Ismail Tasholli ka thënë se mbështetja për UÇK-në është dëshmuar gjatë ditëve të fundit në të gjithë Kosovën.
“Kosova e do UÇK-në. Sa më shumë janë munduar me ligështu, na u ka kthy si feniksi. Ne e kemi lirinë dhe ajo liri ka emër: UÇK”, është shprehur Tasholli.
“Marshi për Liri” po mbahet sot në Prishtinë, me pjesëmarrje të qytetarëve nga vende të ndryshme të Kosovës./teve1.info/







